Debati i ideve, aspekt misionar i medias

Besnik Mustafaj – intervistë

– Si do ta karakterizonit gjendjen e lirisë së shprehjes, dhe në mënyrë të veçantë të lirisë së medias sot në Shqipëri.

Ju, me te drejtë, i ndani këto dy koncepte. Gjendja e lirisë së shprehjes në Shqipëri është pa dyshim dukshëm më mirë se gjendja e lirisë së medias. Liria e shprehjes nuk ka sot tek ne asnjë pengesë ligjore e as institucionale dhe kjo është një fitore thelbësore e shoqërisë shqiptare. Do të thosha me bindje se është një fitore e pakthyeshme.

Media, ajo elektronike dhe ajo e shkruar, nuk është instrumenti i vetëm për realizimin publik të lirisë së shprehjes, por është instrumenti kryesor. Rrjedhimisht, pjekuria ende e mangët e medias dhe gjithë problematika komplekse, që buron nga kjo mungesë pjekurie, ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e lirisë së shprehjes. E kam fjalën se një liri shprehje e shëndetshme ushqen para së gjithash debatin e ideve në gjirin e shoqërisë dhe mospajtimin me të keqen, kudo qoftë ajo. Informimi i shpejtë dhe i drejtë është vetëm një nga elementët e lirisë së shprehjes, që kryhet përmes medias. Debati i ideve, pa tabu, dhe mospajtimi me të keqen përbëjnë aspektin misionar të medias dhe e ngrenë atë në lartësinë e një pushteti më vete. Pikërisht ky aspekt misionar çalon sot në realitetin e medias te ne.

– Sipas mendimit tuaj cila është arritja më e rëndësishme e mediave shqiptare dhe cili është dështimi më i madh i tyre në më shumë se dy dekada të tranzicionit postkomunist? 

Arritja më e madhe e mediave shqiptare, mendoj unë, qëndron në faktin se ne kemi sot, pa dyshim, një peizazh të gjerë mediatik, ku nuk shfaqet, as edhe në mënyrë simptomatike, uniformizmi. Kjo do të thotë se gjithkush e gjen veten diku në një pikë të këtij peizazhi dhe e ka kështu të mundur ta shprehë veten. Thënë ndryshe, media shqiptare, në tërësinë e saj, nuk e pranon sot censurën.

Dështimi i saj më i madh,  më duket mua, qëndron në faktin se mediat tek ne gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit postkomunist, nuk lindën si iniciativa të lira dhe si të tilla të bënin rrugën e tyre. Ato lindën dhe po e bëjnë rrugën e tyre në përgjithësi si filiale, si anekse të bizneseve të tjera, biznese këto pa lidhje organike me instrumentet, nëpërmjet të cilave përmbushet liria e shprehjes. Për pasojë, në një mënyrë apo në një tjetër, mediat e morën me vete qysh në lindje rrezikun e përdorimit të tyre nga “pronarët” në shërbim të bizneseve “amë”. Pra, nëse mediat shqiptare e refuzojnë si bashkësi censurën, veç e veç secila prej tyre është praktikisht e pambrojtur nga censura e “pronarit”.

– Ka një diskutim sipas të cilit çështjet e lirisë së medias në Shqipëri shtrohen në mënyrë të vjetruar, ato nuk janë më ato të parat, nuk lidhen më me sulmet apo gjyqet ndaj gazetarëve, por me ekonominë, me marrëdhëniet e punës, me zhvillimin e tregut të medias, sidomos me klientelizmin… Pikëpamja juaj?

Është e vërtetë se liria e medias ka fituar njëherë e përgjithmonë një betejë me rëndësi parimore duke hequr qafe procedimet gjyqësore. Por, fatkeqësisht, kjo nuk do të thotë se me kaq kjo liri u shenjtërua, horizonti i saj u çel njëherë e mirë. Ne nuk kemi ende në Shqipëri një treg të medias në kuptimin e vërtetë të fjalës treg. Kjo shpjegon edhe numrin kaq të madh të mediave. Ky është një shembull ku sasia nuk arrin të prodhojë  cilësi.

Mediat, në përgjithësi, vazhdojnë të jenë shtojca dhe madje shtojca të kushtueshme, të bizneseve të tjera. Si të tilla ato nuk i nënshtrohen rregullit të asaj që quhet ekonomi  e tregut të lirë. Ky lloj hibridizimi gjenetik i medias e ul rëndësinë e saj de facto në modernizimin e shoqërisë, pikërisht për shkak të vulnerabilitetit të saj. Le të shohim klientelizmin i cili përmendet me kaq shqetësim. Unë e shoh klientelizmin të shfaqet dy llojesh: njëri lloj kur media është e detyruar të ndjekë interesat e pronarit, i cili ka si synim kryesor mbrojtjen dhe begatimin e biznesit, nga ku ai nxjerr edhe paratë për të ushqyer median e vet. Dhe mbrojtja dhe begatimi i biznesit është ende i lidhur në një masë të ndjeshme me fije të padukshme me sjelljen e politikës ndaj pronarit. Dhe klientelizmi tjetër ndjek ose pëson interesat e qeverisë të lidhura me konsolidimin e pushtetit të vet. Kjo fuqi e qeverisë me ndikim të drejtpërdrejtë mbi mediat, për mirë ose për keq lidhet me arsyen se vetë qeveria mbetet paguesja më e madhe në shportën publicitare shqiptare.

– Sot në bote flitet gjithnjë e më shumë për një krizë të medias, sikurse flitet edhe për një revolucion të medias. Jemi më shumë pjesë e krizës, apo e revolucionit? Sipas mendimit tuaj, cili është ndikimi i mediave të reja, i internetit, i facebook, i twitter në zhvillimin e medias sonë?

Me aq sa e njoh unë këtë realitet, ndikimi i mediave të reja në zhvillimin e medias tonë është ende shumë embrional. Për pasojë, ne nuk mund te jemi teorikisht as pjesë e krizës që u ka shkaktuar mediave tradicionale në vendet e zhvilluara përparimi i vrullshëm i mediave të reja si interneti, facebook-u apo twitter-i, por nuk mund të jemi ende as pjesë e revolucionit që po sjellin këto media të reja në komunikimin publik e social në këto vende.

– Disa vende të rajonit kanë bërë përpjekje për të hartuar Strategji të Zhvillimit të Medias. Në Shqipëri ky debat ka munguar. A mendoni se ka ardhur koha të hartohet një strategji e zhvillimit të këtij sektori ? 

Kjo është një pyetje e vështirë për mua. Hartimi i një strategjie presupozon automatikisht detyrimin për ta zbatuar atë. Nuk e di se kujt mund t’i binte detyra ta hartonte një strategji të tillë. Dhe sidomos nuk e them dot se kush do t’i jepte kësaj strategjie fuqi zbatuese për të gjithë aktorët e këtij sektori.

– Si e gjykoni kredibilitetin e medias sonë sot? Nëse për një moment do të vendoseni në rolin e qytetarit, jo të gazetarit, si do të shpreheshit për ato që lexoni në gazeta dhe shikoni në ekrane, sa e besueshme është media jonë?

Nuk do të më dukej e drejtë të shihej vetëm zi. Mediat tona, parë nga pozita e qytetarit, siç ma kërkoni ju, më duken në përgjithësi pjesërisht të besueshme. Pra, ashtu si në deontologjinë klasike të gazetarit thuhet se ai duhet ta verifikojë lajmin detyrimisht nga dy e më shumë burime, edhe konsumatori i sotëm shqiptar i informacionit duhet të ndjekë dy a më shumë media për të krijuar një përfytyrim më afër të vërtetës për të cilën flitet.

– Po afron fushata elektorale e zgjedhjeve të ardhshme. Tashmë e dimë se fushatat tona elektorale  janë gjithnjë e më shumë mediatike. Çfarë prisni nga media në fushatën që po afron?

Pres atë që nuk do të dëshiroja të ndodhte. Por nuk bëhem dot optimist. Mediat tona në fushatën që vjen do të vazhdojnë të shfaqin sëmundjet që ua njohim e sidomos klientelizmin në të dy llojet që shtjellova më lart.

Ky zë u postua te Media për median. Faqeruani permalidhjen.

Lini një koment