Media, ku jemi dhe pse?

Evis Nasto

Liria e shtypit është e garantuar vetëm për ata që e kanë një të tillë.”  Kur Abbott Joseph Liebling shkruante për shtypin këto rreshta, në vitet ’60, gazetat dhe media të tjera nuk cilësoheshin si forume zërash alternative. Pikërisht gjatë kësaj periudhe New York-u humbi katër nga të përditshmet e tij, ndërsa në qytetet e tjera gazeta të ndryshme u grupuan në një periodik të vetëm, të njohur si paper town, duke ngushtuar ndjeshëm konkurrencën e njëherësh sensin kritik të gazetarëve. Liebling ishte një hero për të gjithë ata që besonin se media do të ishte motor ndryshimi për shoqërinë, pikërisht sepse thoshte atë që mendonte, ashtu siç ishte: bardh e zi. Pavarësisht se ‘heroizma’ të tilla mund të tingëllojnë disi arkaike apo pjesë e një idealizmi tepër sentimental për shijet e një shoqërie pragmatiste e individualiste, sërish nevoja për njerëz të tillë ndihet.

Ajo ndihet, veçanërisht, kur për fat keq vëren sesi është katandisur media dhe gazetaria shqiptare. Nëse je pjesë e këtij sistemi, nuk të duhet shumë kohë për të kuptuar se për të mbijetuar duhet të përkulesh, të shitesh ose në rastin më të keq të tjetërsohesh në favor të interesave më të ngushta sesa misioni në shërbim të publikut. Kjo spirale problemore që nis me gazetarin në terren e përfundon deri tek qarqet drejtuese të medias lidhet së pari me cilësinë e formimit gazetaresk. Është pikërisht mosnjohja e parimeve etike dhe mungesa e sensit kritik që qëndron në bazën e kësaj piramide mediatike të shtrembëruar. Gazetarët nuk kanë pasur asnjëherë kohë të thellohen në nocionet bazë të këtij profesioni e aq më pak në faktet e një ngjarje. Përvoja ndër vite ka treguar se janë studentet ata që rendin drejt terrenit sepse besojnë se vetëm aty mund të mësojnë zanatin, ndërsa kur e kanë përvetësuar shtrembër, ashtu siç mund ta përcjellë një realitet i ndrydhur mediatik si ky i yni, atehërë është tepër vonë për të ndryshuar. Ata janë profesionalisht të brishtë për të kundërshtuar shtrembërimet dhe përshtatshmërinë e kanë rrugëzgjidhjen instiktive për të mbijetuar. Ndërsa ekziston dhe një kategori tjetër, ajo që tërhiqet. Heqja dorë nga gazetaria në vitet e para të rrugëtimit profesional është një dukuri po kaq e shpeshtë në botën e medias së ditëve të sotme. Këta gazetarë kanë kuptuar se nuk ka vend për idealizma frymëzues të dikurshëm që i kane nxitur drejt përzgjedhjes së këtij profesioni. Kështu çdo ditë humbasim heronj si Liebling, të cilet nuk mund të luftojne të vetëm për të ndryshuar sistemin dhe fitojmë gazetarë që përshtaten me median e përçudnuar të kësaj shoqërie në tranzicion. Kur ndaj bardh e zi realitetin, nuk mohoj ekzistencën edhe të atyre gazetarëve të cilët rreken të qëndrojnë në të mesmen e artë. Ka shumë nga ata që përpëliten mes presionit të politikës dhe nevojës për të ruajtur integritetin e tyre profesional. Disa madje janë të bindur në vetvete se kanë arritur ta ruajnë atë duke qëndruar në mes, por ky nuk është një profesion kompromisesh. Në gazetari ligji i vetëm është ‘të thuash gjithnjë të vërtetën’ dhe e vërteta nuk është një kompozim ngjyrash por një kontrast i qartë, ku të duhet të pozicionohesh mes së drejtës dhe së gabuarës, realitetit dhe inskenimit. Në këto ujëra të turbullta shpesh është vështirë të bësh dallimin e jo më të kesh mjaftueshëm këllqe për të shprehur lirisht faktet ashtu siç janë pa kaluar në filtrin e autocensurës.

Së dyti, një hallkë po kaq e rëndësishme në këtë zinxhir problemor janë dhe vetë redaktorët, të cilët nuk e kanë aspak të lehtë të ruajnë në drejtpeshim profesionalizmin në një kohë që varen në më të shumtin e rasteve nga njerëz që nuk kanë afinitet me gazetarinë.

Së treti, ajo që qëndron në majën e kësaj piramide mediatike të shtrembëruar, është mungesa e një Autoriteti Rregullator Audio Vizual, që operon në mënyrë të pavarur nga politika. Mospasja e një institucioni të tillë ka ndikuar në veçanti për shumë çeshtje sensitive për lirinë e medias të vendosin persona me petk politik dhe jo vetë gazetarët të cilët si palë e përfshirë në këtë zullumnajë e dinë më mirë se çdokush tjetër se ku qëndron ngërçi. Ja përse mbërrijmë në një pikë të tillë ku liria humbet kuptimin e saj të mirëfilltë dhe nis të perceptohet si e drejta për të bërë atë që duhet. Këto limite të vetë-pranuara tashmë nga media janë dëshmi e shkallës së lirisë së kufizuar.

Realitetit që u reflektua edhe në raportin e Freedom House, ku për të disatin vit radhazi, Shqipëria u rendit mes 58 vendeve pjesërisht të lira çka do të thotë se ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe civile, duke e vlerësuar vendin tonë me notën 3, çka e përfshin në vendet me liri të pjeshme nga një vit me parë kur Shqipëria ishte vlerësuar me notën 3.5. Këto nota përshënjojne dinjitetin e nëpërkëmbur  të medias, e cila jo vetëm se nuk po kryen misionin e saj në dobi të publikut porse nuk po arrin të sigurojë as integritetin e vetvetes. Shumëkush mund të thotë se e tillë ka qenë historia e tranzicionit edhe për shume vende të tjera ish-komuniste. Nëse e marrim të mirëqenë një fakt të tillë atëherë si ka mundësi që vende si Serbia e Kroacia  janë renditur ndër vendet me konkurrencë të hapur politike, respektim të lirive civile dhe media të pavarura? Si është e mundur që një grup vendesh që kanë ndarë për gati 50 vite një sistem politik dhe ekonomik të ngjashëm por jo identik, nje media të kontrolluar nga shteti në menyrë të ngjashme por jo identike, sot shpërfaqin një spekter kaq të larmishëm zhvillimi politik, ekonomik dhe mediatik?

Ky kapitull i medias shqiptare, jo dhe aq i ri pas 20 vitesh, duhet të nis të shkruhet në mënyren e duhur. Në fund të fundit këtu konsiston edhe profesioni ynë, të evidentojmë realitetin dhe në këte rast implikohet edhe detyra shtesë e te propozuarit se si mund të përmirësohet. Shqiptarët me vite u detyruan të konsumonin vetëm media të censuruar gjatë kohes së regjimit komunist. Tanimë që jetojmë në një shoqëri ku të paktën çdonjeri i njeh vetes lirinë e përzgjedhjes së medias, duhet bërë që kjo zgjedhje të jetë jo vetëm e bazuar ne pluralitetin sasior të operatorëve mediatike por edhe në cilësinë e asaj çka përcillet tek publiku.

About these ads
Ky zë u postua te Media për median. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s