Ndikimi i biznesit në tregun mediatik dhe në lirinë e pavarësinë e medias në Shqipëri

Ismet Kallaba

Kur para disa vitesh me një grup të studentëve të vitit të parë të Degës Gazetari – Komunikim të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës vizituam një medie në Tiranë, në pyetjen se si kanë ndikuar investimet e biznesit në pavarësinë e medias, pronari i saj, vetë biznesmen, ashtu si dhe shumica e pronarëve të mediave shqiptare, u përgjigj me pyetje: “Si do të dukej sot tregu mediatik në Shqipëri sikur biznesi të mos investonte në këtë fushë?”

Dhe kishte të drejtë. Askush sot nuk do të mund të kishte një pasqyrë të qartë të skenës mediatike në Shqipëri nëse nuk do të kishte investuar biznesi në fushën e medias. Pikërisht falë këtij investimi që nuk është lehtë të llogaritet, mediat në Shqipëri, sidomos ato elektronike, kanë arritur një nivel shumë të lartë, sidomos në aspektin e zhvillimit teknologjik, duke u cilësuar shpesh me të drejtë si lidere në rajon dhe më gjerë. Madje media konsiderohet shpesh si njëra ndër arritjet më të mëdha të demokracisë në Shqipëri.

Por nëse në stadin e hershëm të zhvillimit të medias në Shqipëri gjatë periudhës së pluralizmit, kur fusha e medias zotërohej në përgjithësi nga vetë punonjësit e medias, ajo kishte nevojë për dorën e biznesit dhe ku ai (biznesi) ka ndikuar për mirë, në fazën e mëvonshme, bashkë me ndikimet pozitive, ka sjellë edhe pasoja negative. Ato kanë ndikuar në çrregullimin e tregut mediatik në Shqipëri, aq sa sot nuk mund të flitet për një treg të mirëfilltë i cili vepron në bazë të parimeve të tregut.

Ashtu si edhe sipërmarrjet e tjera, media është një biznes ku veprojnë rregullat e tregut, që do të thotë se nëse del me humbje, duhet të falimentojë. Por në Shqipëri, me përjashtim të një numri të vogël, shumica e mediave punojnë me humbje e megjithatë nuk shpallin falimentimin.

Pronarët e mediave në Shqipëri, shumica biznesmenë në fusha të ndryshme, duke ndjekur modelet e disa vendeve të tjera, e kanë parë median si një mundësi të mirë për propagandimin e biznesit dhe interesave të tyre. Në këtë këndvështrim, mediat shqiptare kanë vënë në pikëpyetje parimin gazetaresk nëse janë në shërbim të publikut apo vetëm në shërbim të vetvetes!

Të kesh media sot në Shqipëri është në modë. Sepse nuk ka se si të shpjegohet ndryshe numri kaq i madh i mediave, po e përsëris, pjesa më e madhe e të cilave punojnë me humbje. Është e vërtetë që çdokush ka të drejtë të hapë një medie. Por nga ana tjetër, pyetja që shtrohet shpesh është se a kemi nevojë për një numër kaq të madh të mediave? Sa për ilustrim, në fushën e medias së shkruar në Shqipëri qarkullojnë që prej disa vitesh mbi 25 gazeta ditore, gjë që e rendit Shqipërinë ndër vendet me numrin më të madh të gazetave jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, duke u krahasuar edhe me vendet me numër shumë më të madh të popullsisë. Për më tepër, numri i madh i tyre nuk është në raport të drejtë me tirazhin, totali i të cilit, sipas disa vlerësimeve, nuk i tejkalon 70 mijë kopje në ditë, që e vendos Shqipërinë ndër vendet e fundit në Evropë sa i përket leximit.

Numri i madh i mediave nuk nënkupton a priori pluralizëm mediatik dhe të informacionit. Kjo po ashtu nuk do të thotë se njerëzit sot janë më të informuar se më parë. Në median shqiptare është karakteristike dukuria e uniformizimit të informacionit. Pjesa më e madhe e tyre ofrojnë informacion të njëjtë, apo thënë me gjuhën e ekonomisë, të njëjtin mall.

Kriza ekonomike në botë ka ndikuar edhe në krizën e medias, në radhë të parë asaj të shkruar. Kjo është reflektuar edhe në Shqipëri, ku ka media të cilat nuk i paguajnë me muaj pagat e gazetarëve. Por përkundër kësaj, nuk ka media që janë mbyllur për shkak të krizës ekonomike.

Ndërkaq, në aspektin profesional, krahas shumë çështjeve të tjera, njëri ndër problemet kryesore të raportit biznes – media është se si ka ndikuar biznesi në lirinë dhe pavarësinë e medias në Shqipëri?

Për t’i dhënë përgjigjje kësaj pyetjeje është me rëndësi trajtimi teorik i koncepteve të pavarësisë dhe lirisë së medias, rruga e evoluimit, si dhe njohja me masat e ndërmarra dhe përvojat e vendeve të tjera. Paraprakisht duhet bërë të qartë se vetë sintagma “media e pavarur” shërben për të treguar tipin ideal të massmedias e jo shfaqjen e saj në realitet. Për këtë arsye, kur përdorim sintagmën “media e pavarur” apo “pavarësi e medias” duhet të përcaktojmë saktësisht se nga kush duam të jemi të pavarur.

Shqetësimi për lirinë dhe pavarësinë e medias është një nga problemet e hershme me të cilat është përballur gazetaria që nga fillimet e saj. Zhvillimi dhe industrializimi i medias e ka bërë më të theksuar këtë problem duke qenë se janë rritur përpjekjet për të ndikuar mbi median, këtë aktor të rëndësishëm në jetën shoqërore në demokraci. Edhe në vendet me demokraci të konsoliduar vërehen përpjekjet e shtetit për të kontrolluar informacionin dhe median. Përpos shtetit, faktorë të tjerë që konsiderohen rrezik për lirinë dhe pavarësinë e medias janë politika dhe paraja.

Përpjekjet për të ndikuar mbi median kanë nxitur gjetjen dhe zbatimin e metodave të ndryshme me qëllim të ruajtjes së pavarësisë së medias. Në këtë kontekst, sot në legjislacionet e vendeve të ndryshme evropiane ndalohet përqendrimi i madh i mediave pasi që kjo shihet si rrezik për tregun e ideve dhe opinioneve. Legjislacioni shqiptar nuk e ndalon përqendrimin e medias dhe as investimet në fushën e medias të personave që kanë biznese në fusha të tjera. Në skenën mediatike në Shqipëri sot kemi disa grupime të fuqishme, të cilat posedojnë media të të gjitha llojeve (gazetë, revistë, radio, televizion, media online, platforma dixhitale etj.). Por kjo, të paktën deri tani nuk e ka rrezikuar pluralizmin mediatik në Shqipëri dhe nuk ka ndikuar në mbylljen e mediave të tjera.

Në kuadër të trajtimit të problemit të pavarësisë së medias, me rëndësi është të hulumtohet se si ka ndikuar biznesi apo pronësia e medias në vetë politikën redaksionale të mediave shqiptare? Kujtojmë se, mu për këtë çështje, në rrafshin botëror po zhvillohet një debat mbi nevojën e sanksionimit me ligj të ndarjes së politikave redaksionale nga vullneti i pronarëve të mediave. Menjëfjalë, ka mendime që pronari nuk duhet të ushtrojë ndikim në politikën redaktuese të medias së vet për shkak se me këtë shkel pavarësinë e saj.

Nëse i referohemi realitetit mediatik në Shqipëri, duhet thënë se mediat shqiptare janë skajshmërisht të politizuara dhe janë shndërruar në zëdhënëse të palëve të ndryshme politike. Ato janë media klienteliste që i shërbejnë qarqeve të caktuara, ku politika redaksionale përcaktohet nga pronari i medias. Megjithatë, a do të thotë kjo se kemi nevojë për një saksionim me ligj të ndarjes së politikës redaksionale nga vullneti i pronarëve të medias?

Debati lidhur me pavarësinë e politikës redaksionale nga pronari i medias (jo vetëm në Shqipëri) ngatërrohet për shkak të keqkuptimit të lirisë dhe pavarësisë së medias. Ata që mbrojnë këtë qëndrim e shohin lirinë e medias vetëm si liri të gazetarit. Megjithatë liria nuk duhet kuptuar vetëm si liri e gazetarit sepse ajo i takon edhe pronarit të medias. Në fund të fundit, çfarë do të përbënte një gazetar nëse nuk do të ekzistonte vetë media, si prodhuese e lirisë?! Por liria e medias nuk mund të mendohet edhe pa publikun – faktorin e tretë kyç, pa të cilin liria e medias nuk ka kurrfarë kuptimi.

Përveç mohimit të lirisë së të shprehurit të pronarit të medias, qëndrimi i ndarjes së pronarit nga politika redaktuese e medias së tij shkel edhe një të drejtë tjetër – atë të sipërmarrjes, sepse liria e medias bën pjesë edhe në sferën e lirisë së sipërmarrjes. Prandaj nëse përpjekjet për të kufizuar ndikimin dhe rreziqet që vijnë nga përqendrimi i medias mund të duken të arsyeshme, nuk ka kurrfarë kuptimi dhe arsyeshmërie për të kufizuar dhe krijuar një lloj muri ndarës ndërmjet pronarit dhe politikave redaksionale.

Po i rikthehem edhe njëherë çështjes nëse ka apo jo nevojë të rregullohet tregu mediatik në Shqipëri?

Është e vërtetë se në skenën mediatike në Shqipëri ekziston një anomali e madhe. Kjo edhe për shkak se zhvillimi i shpejtë i mediave nuk është shoqëruar me rregullimin ligjor adekuat dhe në kohë. Ideja se tregu rregullon vetë çdo gjë, ka kohë që është tejkaluar. Në kundërshtim me vendet e tjera, ku përpos rregullimeve ligjore, ekziston edhe mekanizmi i vetërregullimit të medias, kjo në Shqipëri nuk ka funksionuar. Problemi i kaotizmit mediatik qëndron edhe në faktin se, të paktën deri tani, askujt nga aktorët vendimmarrës nuk i ka interesuar vendosja e rregullit në media. Por secila palë ka qenë e interesuar dhe ka synuar që të bëjë sa më tepër media për vete sesa të vendosë rregull në tregun mediatik.

Rregullimi i tregut mediatik paraqet problem për faktin se çdo përpjekje për të vendosur rregull mund të interpretohet si ndërhyrje në lirinë e medias dhe në lirinë e sipërmarrjes. Pavarësia e medias presupozon në radhë të parë mosndërhyrjen e shtetit në veprimtarinë e medias. Por edhe në qoftë se ndodhin ndërhyrje, çdo përpjekje për të rregulluar mediat duhet të ketë parasysh që të mos shkelet liria e medias dhe të shprehurit. Në këtë kontekst, përpjekja e pavarësimit të politikës redaksionale nga pronari i medias nuk ka kurrfarë kuptimi sepse ajo shkel lirinë e shprehjes dhe lirinë e sipërmarrjes së pronarit të medias. Në të kundërt, çdo veprim dhe ndërhyrje do të ishte e dëmshme dhe do të kishte pasoja për median dhe shëndetin e demokracisë në Shqipëri.

About these ads
Ky zë u postua te Media për median. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s